
Pas dështimit të mandatimit të Glauk Konjufcës, Presidentja Osmani ka nisur konsultimet me partitë për caktimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndërmarrë hapat kushtetues pas dështimit të Glauk Konjufcës për të formuar qeverinë, duke thirrur partitë politike në një takim të përbashkët konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Gazeta Politika ka mësuar se ftesat zyrtare tashmë janë dërguar drejt subjekteve parlamentare.
Në ftesën e Presidencës thuhet qartë se qëllimi i takimit është dakordimi mbi datën e zgjedhjeve:
“Të nderuar,
Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja Vjosa Osmani fton …., Kryetar i …, në një takim të përbashkët konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.
Takimi do të mbahet sot në orën 10:30, në sallën e Kuvendit të Kosovës, sipas ftesës të cilën e ka parë Gazeta Politika.
Gazeta Politika do të vazhdojë të raportojë për zhvillimet rreth këtij procesi.



