
12 anëtarë të Kongresit paralajmërojnë se një reduktim i pranisë amerikane mund të destabilizojë Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Një grup prej dymbëdhjetë ligjvënësish amerikanë i kanë dërguar një letër Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, duke shprehur shqetësim për raportimet mbi një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga misioni paqeruajtës i NATO në Kosovë.
Në letrën e datës 11 mars, ligjvënësit paralajmërojnë se një reduktim i parakohshëm i pranisë amerikane në KFOR mund të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin.
Ata i bëjnë thirrje Departamentit të Shtetit që të ruajë nivelin aktual të forcave amerikane në këtë mision paqeruajtës.
“Ne ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë të thellë lidhur me raportimet se administrata e Donald Trump mund të reduktojë forcat amerikane nga misioni i udhëhequr nga NATO në Kosovë”, thuhet në letër.
Sipas ligjvënësve amerikanë, situata politike në rajon mbetet e brishtë, ndërsa ndikimi i aktorëve të jashtëm është në rritje, gjë që sipas tyre e bën edhe më të rëndësishme vazhdimin e pranisë së fortë të SHBA-së në Kosovë përmes KFOR-it.



