
Tashmë manipulimet me vota brenda partive kanë dalë në shesh në Prizren. Në qytetin e bukur të Prizrenit, disa kandidatë të PDK-së kanë humbur mijëra vota gjatë rinumërimit.
Nga ky manipulim brenda partisë nuk ka shpëtuar as LDK-ja. Dy nga njerëzit që humbën vota nga rinumërimi në Prizren janë Driton Selmanaj dhe Anton Quni, shkruan Gazeta Politika. I pari, pra Selmanaj deri tani ka humbur 982 vota, ndërsa Quni është minust 511 vota që nga nisja e rinumërimit.
Edhe Selmanaj, edhe Quni janë distancuar nga ky manipulim.
Selmanaj e ka quajtur shqetësuese këtë proces, duke u distancuar “tërësisht” nga manipulimet.
“Rinumërimi në Prizren, po nxjerrë të dhëna tejet shqetësuese, ku të gjithë kandidatëve të të gjitha partive politike pa përjashtim i janë prekur apo ndryshuar votat. Disa me dallime shumë të mëdha e disa më të vogla, por asnjë nuk i ka shpëtuar abuzimit apo ndryshimit të vullnetit qytetar.
…
Unë si kandidat për deputet dhe si kryetar i Degës së LDK-së në Prizren distancohem tërësisht nga kushdo që ka marrë guximin të tjetërsoj vullnetin e qytetarëve të komunës sonë” – ka shkruar Selmanaj, transmeton Gazeta Politika.
Ndërsa Quni ka shkruar se si pasojë e këtij operacioni krminal, i është njellosur personaliteti.
“Dëshiroj të bëj të ditur me përgjegjësi të plotë se çdo rritje e votave në emrin tim është bërë pa dashjen dhe pa dijeni timen. Unë nuk kam kërkuar, inkurajuar apo asistuar në asnjë formë devijimin e vullnetit të qytetarëve. Kjo ngritje artificiale e votave nuk përfaqëson mbështetjen time reale dhe as parimet e mia njerëzore.
Përmes këtij operacioni, i cili nuk mund të cilësohet ndryshe veçse si kriminal, më është njollosur personaliteti dhe karriera. Përfshirja e emrit tim në skema të tilla manipuluese është një goditje e rëndë për dinjitetin tim dhe besueshmërinë që kam ndërtuar me vite para elektoratit” – ka shkruar Quni, transmeton Gazeta Politika.



