
Një akuzë për një takim të mundshëm mes kandidatit të BDI-së për Çairin, Bujar Osmani, dhe ish-kryeministrit në arrati Nikola Gruevski, ka ndezur përplasjen politike në fushatën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut. Gruevski, i njohur gjerësisht si figurë anti-shqiptare dhe i përfshirë në afera të mëdha korrupsioni, ndodhet në arrati prej disa vitesh pas proceseve gjyqësore të hapura ndaj tij.
Zëvendëskryeministri dhe njëherësh kandidati tjetër për Çairin, Izet Mexhiti, pretendoi se Osmani është takuar dy herë me Gruevskin gjatë kohës që ky i fundit ishte në arrati.
“Parashtrojani një pyetje a është e vërtetë që minimum dy herë ka qenë në Budapest në takim të drejtpërdrejt me z. Gruevski. Do e pres se si do të përgjigjet mandej do e plotësojmë se kur ka qenë dhe si ka qenë”, tha Mexhiti.
Osmani reagoi fillimisht duke i mohuar kategorikisht këto pretendime dhe duke ironizuar me deklaratat e Mexhitit.
“Kam pasur takim me Elon Mask edhe me Ajnshtajnin kam pasur komunkime. Hajde t’i lëmë këto porosi partiake të shtabeve për shkak se vërtetë janë degutante, tash bisedojmë për tema të rëndësishme… S’kam pasur takim, herën e fundit e kam takuar në vitin 2011 kur kam qenë ministër i shëndetësisë.”
Pas kësaj përgjigjeje, Mexhiti kërkoi sërish një përgjigje të drejtpërdrejtë nga rivali i tij, duke thënë se posedon dëshmi për takimin Osmani–Gruevski.
“Unë pres të përgjigjet konkretisht, jo të tallet me gazetarët dhe opinionin. Unë them se ka qenë dhe do e vërtetojmë këtë. Keni dëshmi? Po. Kur do i publikoni? Kur do të duhet”, tha Mexhiti.
Osmani, nga ana tjetër, reagoi përsëri duke i quajtur akuzat shpifje elektorale.
“Është një rregull në fushatë. Kur një kamp politik ka frikë atëherë fillon edhe shpif. Shihet që kur doli anketa e fundit që tregoi dallimin 10%, filloi një fushatë e propagandës dhe shpifjeve. Edhe kjo është e llojit të tillë. Nuk ka pasur takim të tillë”, tha Osmani.
Megjithatë, në një prononcim tjetër para gazetarëve, ai shtoi se nuk mund të flasë për takime të caktuara për shkak të natyrës së funksionit si ministër i Jashtëm, duke lënë të hapur mundësinë që të ketë pasur kontakte zyrtare.
“Takimet e ministrit të Jashtëm janë takime të klasifikuara dhe me ligj nuk mund të paraqiten edhe po të kishte pasur diçka të tillë do të ishte në kuadër të funksionit të Ministrit të Jashtëm“, tha osmani.
Por kjo deklaratë e Osmanit nuk u prit mirë nga mediat. Gazetari dhe analisti Xhenur Iseni theksoi se një takim i tillë nuk mund të justifikohet si “informacion i klasifikuar”.
“Të takosh Gruevskin dhe ta quash ‘informacion të klasifikuar’, është sikur të duash ta mbështjellësh korrupsionin me flamur shteti… Të takosh Gruevskin, do të thotë të takosh vetë korrupsionin”, tha Iseni.



