
Analistja kritikon gjuhën e urrejtjes ndaj kandidaturës për presidente së Fatmire Kollçakut dhe kërkon debat mbi performancën, jo mbi identitetin.
Analistja e emisionit “Zanat”, Paulina Nushi, ka reaguar ndaj gjuhës së urrejtjes që, sipas saj, po përdoret në rrjetet sociale ndaj kandidaturës për presidente së Fatmire Kollçakut.
Sipas Nushit, kandidimi i Kollçakut nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, pasi ajo ka marrë besimin e qytetarëve të Kosovës në disa mandate si deputete.
“Kandidimi i Fatmire Kollçakut nuk ka kurgjo të jashtëzakonshme. Asaj i është dhënë besimi nga qytetarët e Kosovës për disa mandate si deputete, rrjedhimisht edhe kandidimi vjen për një individ që ka marrë besimin e qytetarëve disa mandate”, ka thënë Nushi.
Ajo theksoi se ajo që nuk duhet të pranohet si normale është gjuha e urrejtjes e përdorur ndaj saj, duke përmendur edhe komentet fyese që janë bërë në adresë të saj pas kandidimit.
Sipas Nushit, Kollçaku është qytetare e Kosovës dhe në një shoqëri demokratike figurat publike duhet të vlerësohen mbi bazën e kontributit profesional, qëndrimeve politike dhe vizionit për shtetin, e jo mbi identitetin etnik të familjes së tyre.
“Kush prej neve i ka zgjedhur prindërit? Askush. Prandaj edhe Kollçaku le të gjykohet për performancën e saj e nënën lejani rehat”, ka shtuar ajo.
Megjithatë, Nushi theksoi se kritikat politike ndaj Kollçakut janë të ligjshme, duke shtuar se ato duhet të lidhen me punën dhe performancën e saj si deputete. Ajo madje e ka përshëndetur kandidimin e saj, duke i uruar suksese.



