
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli ka thënë se presidentja Vjosa Osmani e ka nënshkruar nën mllef dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Sa i përket ndryshimit të amendamenteve kushtetuese që presidenti të zgjidhej nga populli, Qorrolli në emisionin “Interaktiv” në KTV, ka thënë se secili kandidat i LVV-së për president, do ta mundte Osmanin
“Vjosa Osmani në momentet e fundit mendonte se mund të ‘kapte’ diçka sepse edhe intervista e saj sonte shihej nën maraz. Unë besoj që secili kandidat i LVV-së, edhe po të ishte në mënyrë të drejtpërdrejt, e mund pa balotazh dhe në mënyrë plebishtare Vjosa Osmanin. Në rast se nominohen zgjedhjet e drejtpërdrejta dhe secila parti politike nominon kandidat, secili i Lëvizjes Vetëvendosje do ta mundte Osmanin pa balotazh”, ka thënë Qorrolli.
Qorrolli e ka komentuar edhe deklaratën e Osmanit në “Syri TV” se dekreti mund të jetë edhe jokushtetues, sepse nuk është pejgambere dhe mund të gabojë. Qorrolli këtë deklaratë e quajti foshnjarake sepse shkelësit e Kushtetutës nuk lidhen me pejgamberët.
“Ajo po e thotë në ditët e saja të fundit, sepse nuk do të jetë më presidente e Republikës së Kosovës edhe nëse çështja kthehet në pikën zero, këtë e ka kuptuar. Për shkak se e ka kuptuar ka filluar të flasë në këtë formë me sulme politike. Në ditën e parë që nuk do të jetë shefe e shtetit më ftoni e flasim pastaj, sepse ajo tash është shefe e shtetit dhe kam respekt për institucionin. Në intervistën e saj ku tha se edhe mund ta kem shkelur Kushtetutën sepse nuk jam pejgambere. M’u duk deklaratë shumë foshnjarake sepse shkelësit e Kushtetutës nuk lidhen me pejgamberët, as krahasimi nuk është i duhur por shihet se ajo tash është në një situatë tjetër”, ka thënë Qorrolli.
Qorrolli në “Interaktiv” ka thënë po ashtu që Gjykata Kushtetuese mund ta kthejë procedurën e zgjedhjes së presidentit në pikën zero dhe sipas tij, kjo nënkupton se janë edhe dy pozita vakante për dy kandidatë për president.
“Në asnjë rrethanë nuk parashikoj zgjedhje. Nuk e di pse parashikohen zgjedhje në korrik kur do të kthehet procedura e presidentit në pikën zero. Kuvendi i Kosovës do të duhej ta rifillojë procedurën e zgjedhjes së presidentit. Pika zero mund të kuptoj edhe nominimet, nëse nuk ndërrohen kandidaturat janë edhe dy kandidatura vakante. Ne kemi nënshkruar si mazhorancë me 60 nënshkrime për dy kandidatë. Janë edhe dy kandidatura të mundshme. Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë”, ka thënë Qorrolli.
Si njohës i fushës së drejtësisë, Qorrolli ka thënë se ka hulumtuar edhe në literaturat e gjyqësisë së Kushtetueses në Evropë e më gjerë dhe nuk ka gjetur asnjë siç thotë – shkelje siç ka bërë Osmani kur vendosi të nënshkruajë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
“Unë besoj që shkelja e saj do të jetë e përmasave të papara. Nuk e gjeni në asnjë model të Republikave Parlamentare këtë shkelje. Këto ditë intensivisht kam hulumtuar literaturë të gjyqësisë kushtetuese të tërë Evropës por edhe më gjerë për të parë se ku në një Republikë Parlamentare shefi i shtetit ndërhynë kaq arbitrarisht, nuk e kam gjetur asnjë rast. Pritjet legjitime të popullit janë që ky parlament i zgjedhur me votë të lirë do të ketë mandat katër vjeçar. Njeriu i vetëm që ka bërë kompromise për të gjetur dikënd i cili ka 51.1% të votave të fituara, iu ka ofruar partive parlamentare konsensus. Ne nuk kemi çka t’i bëjmë PDK-së që refuzon të jap emra. Kam dëgjuar emra nga kjo parti që janë deputetë dhe kanë thënë se duam të shkojmë në zgjedhje, s’duam të zgjedhim presidentin”, ka thënë Qorrolli.
Presidentja Vjosa Osmani në intervistën sonte në “Syri TV” ka thënë se ka shprehur rikandidimin e saj pasi kryeministri Albin Kurti ishte zotuar se do e mbështeste.
Sipas Osmanit, nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta kishte propozuar atë si kandidate të vetme, atëherë ajo do të rizgjidhej presidente. Vetëvendosje e kishte propozuar Glauk Konjufcën si kandidat, ndërsa më pas ia kishte premtuar edhe Osmanit 30 nënshkrime për t’u kandiduar. Osmani i refuzoi ato.



