
Këngëtarja me prejardhje nga Kosova bashkëpunon me “Evening Standard” për të ndihmuar njerëzit pa strehë dhe me pasiguri ushqimore.
Këngëtarja ndërkombëtare Rita Ora, e cila ka prejardhje nga Kosova, po mbështet kampanjën dimërore të gazetës britanike “Evening Standard” për të ndihmuar refugjatët dhe njerëzit në Britani të Madhe që përballen me mungesë strehimi dhe pasiguri ushqimore.
Ora, e cila u largua nga Kosova si fëmijë së bashku me familjen për të kërkuar siguri në Mbretërinë e Bashkuar, ka rrëfyer për gazetën “Standard” se si përvoja e familjes së saj e ka formuar jetën dhe karrierën e saj.
“Rritja si fëmijë refugjat ka ndikuar në çdo aspekt të asaj që jam,” tha ajo, duke shtuar se prindërit e saj hoqën dorë nga gjithçka për të siguruar një fillim të ri në Mbretërinë e Bashkuar. Rita tregon se nëna e saj, e cila ishte psikiatre në Kosovë, duhej të mësonte anglisht dhe të ritrajnohej, ndërsa babai punonte natën me orë të gjata për të siguruar një të ardhme për familjen.
“Guximi i tyre ndërtoi themelet e gjithë jetës sime, dhe muzika u bë streha ime,” tha Ora, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për ata që përballen me sfida të ngjashme sot.



