
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka lëshuar një paralajmërim me nivel të verdhë për reshje të dendura dhe rrezik potencial të vërshimeve në disa rajone të vendit. Situata pritet të përkeqësohet nga mbrëmja e së shtunës.
“Duke pasur parasysh situatën e përgjithshme të pa qëndrueshme hidrometeorologjike gjatë këtyre ditëve, e cila përfshin reshje, duke shkaktuar edhe vërshime në disa zona të vendit. Aktualisht lumenjtë në tërë vendin kanë pësuar rënie, por reshjet e shiut të cilat parashikohen të bien gjatë orëve në vijim, sidomos në pjesën lindore (Pellgu i Moravës së Binçës), do të ndikojnë që të rriten përsëri prurjet e ujit nga pjesët e larta malore dhe rrjedhimisht edhe Lumin Morava e Binçës me degën kryesore Kriva Reka, të cilat mund të shkaktojnë vërshime,” thuhet në njoftim.
Situata pritet të ndikojë edhe në pjesë të tjera të vendit, veçanërisht në veri-lindje (Pellgu i Llapit), qendrore (Sitnica) dhe jugore (Pellgu i Lepencit).
Instituti paralajmëron se moti mbetet potencialisht i rrezikshëm.
“Fenomenet e motit që janë parashikuar nuk janë të pazakonta, por kini kujdes nëse keni ndërmend të praktikoni aktivitete të ekspozuara ndaj rreziqeve meteorologjike. Qëndroni të informuar rreth kushteve të pritshme meteorologjike dhe mos merrni përsipër rreziqe të shmangshme.”



