
23 nëntori shënon përvjetorin e vrasjes së Xehmail Mustafës, intelektual, themelues i LDK-së dhe këshilltar i Ibrahim Rugovës, president i Kosovës, në kohën e vrasjes.
Më 23 nëntor të vitit 2000, Mustafa u vra në hyrje në banesës së tij, e cila vrasje ende mbetet e pazbardhur, shkruan Gazeta Politika.
Mustafa ishte gazetar i shquar, një nga penat e rëndësishme të jetës intelektuale gjatë viteve 90-ta dhe përfaqësues i Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në aktivitetin e tij publik e politik, Mustafa ishte një intelektual i angazhuar dhe themelues e anëtar i rëndësishëm i LDK-së.
Për shumë vite, Mustafa ishte këshilltar dhe njeri i afërt i ish-presidentit Rugova.

Në kohën e vrasjës, Rugova ishte emocionuar shumë, duke qarë në varrimin e ish-mikut e këshilltarit Mustafa, shkruan Gazeta Politika.
Në paraqitjet e tij publike dhe organizimat e protestave në diasporë, Mustafa mbronte kauzën për një Kosovë të lirë dhe demokratike.
Në jetën e tij publicistike, Mustafa ishte një intelektual humanist, duke kritikuar dhunën e Serbisë në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.
Në kohën e bombardimeve të NATO-s, Mustafa nuk ishte larguar nga Prishtine, duke qëndruar në kryeqytet për të ndarë fatin me shqiptarët, të cilët i përfaqësoi për një dekadë.
Gjatë jetës së tij, Mustafa shkroi shumë opinione e kolumne, ndërsa libri “Një lutje për Prishtinën” mbetet një dokumentin personal i kohës dhe rrethanave të bombardimeve të NATO-s në Prishtinë e Kosovë.
Në këtë libër, Mustafa shpërfaqet si një intelektual, që brengoset për fatin e shqiptarëve, vlerëson lartë luftën e UÇK-së, duke shkruar se ishte kjo ushtri që e detyroi botën të ndërhynte ushtarakisht.
Nesër LDK-ja do të mbajë një mbledhje përkujtimi për ish-zyrtarin e saj.
Së fundmi, djali i tij, Besian Mustafa, që është edhe deputet i LDK-së, ishte mysafir i emisionit “Ora e Mirlindi”, të udhëhequr nga gazetari i Gazetës Politika, Mirlind Behluli, ku rrëfeu për ditën e kobshme të vrasjes së babait të tij.



