
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se janë alokuar 2.7 milionë euro për pagesën e operatorëve të transportit publik, sipas vendimit të Kuvendit të Prishtinës për të hyrat vetjake.
Murati ka thënë se këto mjete janë proceduar veçmas nga pjesa tjetër prej 25.9 milionë eurosh të projekteve kapitale.
“Sipas legjislacionit në fuqi, vendimi i marrë nga Komuna e Prishtinës të enjten në mbrëmje për të hyrat vetjake duhej fillimisht të kalonte verifikimin e ligjshmërisë, proces ky që bëhet nga ana e MAPL-së. Kapitalet, duke qenë në shumë linja, marrin më shumë kohë dhe nuk ishte e mundur të kryheshin sot”, ka shkruar Murati në Facebook.
Ai ka shtuar se të martën Departamenti i Buxhetit ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët financiarë të Komunës së Prishtinës për të siguruar procedim sa më të shpejtë.
Murati ka akuzuar Komunën e Prishtinës për dezinformim.
“Prandaj është për keqardhje sjellja dhe deklaratat dezinformuese nga ana e Komunës së Prishtinës, që gjoja Ministria nuk po bën alokimin e mjeteve, kur në fakt edhe ata vetë e dinë që kemi të bëjmë me procedura që nuk mund të tejkalohen. Gjithsesi, uroj që komuna të ketë vlerësuar saktë obligimet financiare në kategorinë mallra dhe shërbime, kur ka vendosur të ndajë vetëm 2.7 milionë euro, dhe tash të shlyejë të gjitha borxhet që ka ndaj operatorëve të transportit publik. Me këtë, të marrë fund edhe farsa për gjoja bllokadën e pretenduar”, ka shtuar ai.



