
I biri i veprimtarit Ukshin Hoti thotë se shumica e anëtarëve të LVV-së e kanë lexuar dhe ndjekur filozofinë politike të të atit.
Andin Hoti, i biri i veprimtarit të shquar të Lëvizjes Kombëtare, Ukshin Hotit, do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor. Ai figuron me numrin 11 në listën zgjedhore të partisë.
Në një intervistë për emisionin “Frontal” në T7, Hoti foli për ndikimin e Ukshin Hotit në diskursin politik të shumë anëtarëve të LVV-së, duke thënë se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë frymëzuar nga filozofia e tij politike.
“E përmenda babën, po e vazhdoj me babën. Besoj se pajtoheni që Lëvizja Vetëvendosje, ose së paku 80% e tyre, nëse nuk ka mundur të shkojë tërësisht me programin politik të Ukshin Hotit, së paku e kanë lexuar, janë munduar ta ndjekin dhe ta ideologjizojnë në këtë pikë,” u shpreh Hoti. Ai shtoi se Ukshin Hoti nuk i përket asnjë partie politike në Kosovë, por njëkohësisht është figurë e të gjithave.



