
Sekretari organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka thënë se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka dështuar të mbrojë qytetarët nga manipulimet e KEDS-it.
Në emisionin “Konfront” në KTV, Azemi ka thënë se njehsorët elektrikë nuk e kanë matur shpenzimin e energjisë elektrike me çmim më të lirë siç parashihet nga ora 22:00 ose 23:00 gjatë verës, prandaj ai deklaroi se të hollat që janë faturuar gabimisht, duhet t’iu kthehen qytetarëve.
“Unë po e vë në pikëpyetje të drejtën ligjore të secilit qytetar që prej orës 22:00 dhe 23:00 gjatë verës energjia të faturohet me të lirën, këtu është thelbi. Ministria po e fshehë pjesën tjetër, ne e kemi ngritur si çështje shpenzimin me të lirën dhe të shtrenjtën. Ne duam ta dijmë sa është dënuar KEDS-i dhe dënojeni por si shtet duhet të kujdesën që t’ia kthejnë qytetarëve të hollat që i kanë faturuar gabimisht”, ka thënë Azemi.
Sipas Azemit MINTI ka dështuar fillimisht për faktin që nuk e ka zbuluar këtë skandal ndërsa i ka quajtur manipulative deklarimet se po matet saktë shpenzimi i energjisë elektrike nga qytetarët.
“Ministria ka dështuar të mbrojë qytetarët për disa arsye; E para që nuk e ka zbuluar këtë skandal për të cilin po thonë se paska orë të cilat e kanë kaluar vlefshmërinë dhe kanë dalur e kanë shqiptuar disa gjoba për të cilat nuk e di sa. Janë 700 mijë njehësorë elektrikë e ato nuk qenkan kontrolluar asnjëherë. Kur plasi skandali që u nxorr nga LDK-ja, dolën sërish me deklarata manipulative ku thonë se po matet shpenzimi saktë”, është shprehur Azemi.
Në një konferencë për media gjatë ditës, Visar Azemi nga LDK-së, e ka quajtur skandaloze edhe deklaratën e lëshuar nga MINTI për gjobat e shqiptuara ndaj KEDS-it, për njehsorët elektrikë me afat të skaduar.
Një ditë më parë, MINTI ka sanksionuar KEDS-in, por nuk e ka treguar shumën. E, burime të KOHËS bënë të ditur se kompania është gjobitur me gjithsej 6 mijë euro për dy njehsorë me afat të skaduar.
MINTI, në njoftimin e së martës, ka bërë të ditur se gjatë verifikimeve të realizuara në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë është konstatuar se nga ana e KEDS-it nuk është respektuar afati i vlefshmërisë së njehsorëve elektrikë.



