Elisa Spiropali kritikon PS-në: Po më kërkohet të hesht, por nuk pranoj këtë mënyrë qeverisjeje

Ish-ministrja kritikon funksionimin e institucioneve dhe “drejtorokracinë” në PS.

Ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar përmes një shkrimi të gjatë publik, duke thënë se është këshilluar të heshtë përballë zhvillimeve të fundit, por ka refuzuar ta bëjë këtë.

banner

Spiropali e cilëson këtë lloj “këshille” si praktike, por sipas saj, pikërisht kjo qasje ka ndërtuar klimën aktuale në vend.

“Po më këshillojnë të hesht… rri rehat, mos bëj zë, do të të vërsulen. E kuptoj këtë këshillë, por është kjo lloj ‘mençurie’ që na ka sjellë këtu ku jemi sot”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, problemi nuk lidhet me individë apo raste të veçanta, por me një model funksionimi që, siç thotë ajo, është instaluar gradualisht në institucione.

Ajo ka kritikuar mënyrën se si, sipas saj, institucionet nuk funksionojnë më si hapësira vendimmarrjeje, por si instrumente presioni, ku vendimet merren nga një rreth i ngushtë dhe ligji interpretohet sipas interesit të momentit.

“I kam parë nga afër këto transformime. Institucionet po kthehen në zgjatime të vullnetit të pak njerëzve”, thekson ajo.

Në reagimin e saj, Spiropali flet edhe për presione ndaj individëve, mediave dhe bizneseve, duke shtuar se në disa raste sulmet shtrihen edhe ndaj familjarëve.

Ajo ka kritikuar edhe zhvillimet brenda Partisë Socialiste, duke thënë se një parti dinamike po zëvendësohet nga një strukturë e mbyllur, ku sipas saj dominon “drejtorokracia” dhe besnikëria ndaj individëve.

“Ky nuk është modeli për të cilin është ndërtuar Partia Socialiste”, ka shkruar ajo, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për çështje personale, por për një mospajtim me mënyrën e funksionimit.

Në fund, Spiropali ka theksuar se nuk ka frikë nga sulmet dhe se e konsideron si detyrim të flasë për nevojën e ndryshimeve në mënyrën e qeverisjes dhe funksionimit të institucioneve në vend.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.