Zyrtari i lartë i TRUST-it që i deklaroi rreth 140 milionë euro: Prejardhja e pasurisë time është në Britani të Madhe

Kryesuesi i Bordit të Trustit sqaron publikun rreth deklarimit të pasurisë së tij dhe mohon ndonjë përfitim nga fondet publike.

Kryesuesi i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, Emanuel Bajra, ka reaguar publikisht lidhur me deklarimin e pasurisë së tij, duke theksuar se gjithçka është bërë në përputhje me ligjin dhe me transparencë të plotë.

banner

Përmes një postimi, Bajra ka bërë të ditur se për të tretin vit radhazi ka deklaruar pasurinë brenda afateve ligjore, duke e cilësuar këtë proces jo vetëm si obligim formal, por edhe si akt respekti ndaj publikut.

Ai theksoi se pasuria e tij nuk ka origjinë nga Kosova, por është krijuar në Mbretërinë e Bashkuar përpara angazhimit të tij në role publike. Sipas tij, çdo e ardhur është rezultat i punës në tregjet financiare dhe është e dokumentuar dhe legjitime.

Bajra mohoi kategorikisht pretendimet për përfitime nga fondet publike apo nga pozita e tij në Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës, duke i cilësuar këto si të pavërteta. Ai shprehu shqetësim për atë që e quajti fushatë shpifjesh dhe linçimesh ndaj tij.

“Debati është i mirëseardhur, por shpifja dhe ofendimi nuk janë”, theksoi ai, duke shtuar se nuk pranon një formë të tillë të komunikimit publik.

Në deklarimin e tij, Bajra theksoi gjithashtu se kontributi i tij në Kosovë nuk ka qenë për përfitim personal, por për të ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit. Ai përmendi edhe rezultatet e arritura në Trust, duke theksuar se fondi pensional ka shënuar kthime të konsiderueshme nga investimet gjatë mandatit të tij.

Në fund, Bajra bëri thirrje për më shumë vlerësim të punës së ndershme dhe kalim nga kultura e dyshimit drejt asaj të meritës dhe përgjegjësisë, duke ritheksuar përkushtimin e tij për transparencë dhe shërbim publik.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.