
Ish-ministrja thotë se vlerësimi për Vjosa Osmani riafirmon orientimin strategjik të Kosovës
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka reaguar ndaj letrës së presidentit amerikan Donald Trump drejtuar ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e cilësuar atë si një sinjal të qartë për forcën e partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Përmes një reagimi publik, Haradinaj theksoi se letra tejkalon protokollin diplomatik dhe rikujton rëndësinë e aleancave që, sipas saj, formësojnë të ardhmen e Kosovës.
Ajo vlerësoi se mesazhi i Trump riafirmon lidhjen e ngushtë të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe orientimin e saj drejt vlerave të lirisë, sovranitetit dhe demokracisë.
“Rruga e Kosovës është e lidhur ngushtë me aleatët që qëndrojnë në krah të lirisë dhe vlerave demokratike. Është e lidhur ngushtë me Amerikën”, ka theksuar Haradinaj.
Sipas saj, vlerësimi për lidershipin e Osmanit dëshmon se Kosova po shihet si një faktor serioz në skenën ndërkombëtare dhe si kontribuese në promovimin e paqes dhe stabilitetit global.
Në fund, Haradinaj theksoi se mbështetja amerikane do të mbetet një garanci e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, duke e quajtur atë një “busull të qëndrueshme” për zhvillimin dhe suksesin e mëtejshëm të vendit.



