
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për zhvendosjen e fotografisë së presidentit historik Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë nga vendet e tyre të mëparshme në Presidencë.
Osmani tha se këto simbole nuk janë dekor, por themele të shtetit të Kosovës. Ajo përmendi edhe ish-kandidatin e LDK-së për president, Bekim Sejdiun, duke thënë se ai nuk do t’i zhvendoste.
“Bekim Sejdiu, një kandidat i jashtëzakonshëm që e patëm propozuar për president, asnjëherë nuk do ta zhvendoste as Deklaratën e Pavarësisë e as fotografinë e presidentit historik”, tha Osmani.
Ajo shtoi se “në vendet e nderit dihet kush e ka vendin” dhe kundërshtoi arsyetimet për zhvendosjen e tyre.
“S’janë dekor, janë themelet e shtetit të Kosovës. Kushdo që e relativizon atë, po e relativizon vetë historinë e Kosovës”, u shpreh ajo.
Në deklaratën e dhënë, Osmani e cilësoi vendosjen e fotografisë në një qoshe të errët, përballë tualeteve, si veprim që “e çnderon Republikën”.



