
Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Aleksandër Darçiev, ka vdekur papritur në moshën 66-vjeçare. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Jashtme ruse, pa dhënë hollësi për shkakun apo vendin e vdekjes. Ai ishte emëruar ambasador në Washington në mars të vitit 2025.
Vdekja e Darçievit ka rikthyer në vëmendje raste të tjera të diplomatëve dhe zyrtarëve rusë që kanë vdekur në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, deri tani nuk ka të dhëna që këto raste të kenë lidhje mes vete.
Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitalij Çurkin, vdiq në Nju-Jork më 20 shkurt 2017, në moshën 64-vjeçare, një ditë para ditëlindjes së tij të 65-të. Një zyrtar amerikan i tha Reuters-it se dyshohej se ai kishte pësuar sulm në zemër.
Në vitin 2016, Sergej Krivov, punonjës i konsullatës ruse në Nju-Jork, u gjet i vdekur në ndërtesën e konsullatës, me një lëndim në kokë. Autoritetet amerikane thanë se ai mund të kishte rënë pas një problemi shëndetësor; zëdhënësi i ambasadës ruse përmendi si shkak të mundshëm sulmin në zemër.
Ndërsa Mihail Lesin, ish-ministër rus dhe themelues i televizionit RT, u gjet i vdekur në një hotel në Washington në vitin 2015. Autoritetet amerikane përcaktuan se vdekja ishte aksidentale dhe se dëmtimet nga goditjet ishin shkaktuar nga rrëzimet; helmimi akut me etanol u vlerësua si faktor kontribues.



