
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, e ka akuzuar pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) se po i shërben “mafisë energjetike” me importim të rrymës.
“A e njihni ju Vukun? Vuk Hamoviqin e Qeverisë së juaj, që tashmë edhe me prova nga Dogana po merrni energji elektrike nga ai… Se po shkoni në emisione – jo, na importojmë prej Shqipërisë, na jo prej mafisë. Mund të referoheni në dokumentet e Doganës, tash e mas, e mos me dilni nëpër emisione aty me folë që ju nuk jeni shërbëtorë të mafisë energjetike.” – tha Ymeri, shkruan Kallxo.
Deputetja Ymeri i reagoi ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke i thënë se “inflacioni nuk është shkaktu nga ngushtica e Hormuzit por nga energjia dhe nga çmimi i energjisë.”
“Keni dështu me siguru energjinë elektrike. Po pse? Se kur keni ardhë, keni ardhë me skemë të instalume, me kompani, me ZRRE-në [Zyra e Rregullatorit të Energjisë] që ua ka ndreq agjendën, me KOSTT-in, për me i shërby Martin Berishajt edhe m’i shërby mafisë energjetike.” – tha Ymeri.
“Në asnjë rast nuk ka qenë sektori i energjisë elektrike në gjendje më të rëndë. Për shkak që në vitin 2020, në fund të vitit, e kena marrë pavarësinë energjetike. Kur e keni marrë pavarësinë energjetike, ia keni ba dhuratë në mendimin tem atyre që ua kanë financu juve fushatën edhe sot u servilos ekonomia e Kosovës tu ju pagu Vukut edhe tjerëve.” – shtoi deputetja.
Liza Gashi, deputetja e LVV-së, ka folur për akuzat e deputetes Ymeri duke thënë se sot në Kosovë ka 144.14 megavatë (MW) të reja në kapacitetet elektrike.
“Kur flasim për këto 144.14 MW, flasim për 35 MW nga modernizimi i turbinës së bllokut B2, 70 MW nga Parku i erës në Zatriq, 39.4 MW nga vetë konsumatorët. Duke u zhvilluar aktualisht janë 475 MW plus 50 MW tjera në zhvillim e sipër… Është e pafalshme që para qytetarit të Kosovës dalim me propagandë, e cila nuk i shërben Republikës së Kosovës.” – tha Gashi.
Ymeri i ka replikuar deputetes Gashi duke i thënë se nuk ka asnjë ditë, prej 4 nëntorit, që Kosova nuk shkon pa import të energjisë elektrike.
“A e din deputete e nderuar sa janë 35 MW? A e din sa pak? Aq pak sa ti me pasë ditë s’e kishe marrë fjalën hiç me dalë me na komentu këtu.” – tha Ymeri.
Ilir Kërçeli, deputet i LVV-së, po ashtu u përfshi në këtë debat. Sipas tij, në kohën e qeverisjes së LDK-së inflacioni ka qenë 11%, pa pas luftë e krizë globale.
“Për pare në fushatë është mirë deputetja me na tregu qysh ka mundur LDK-ja me 200 mijë euro me kry krejt fushatën edhe është mirë me na tregu, mos rastësisht i kanë furnizu këta fituesit e tenderit “Xhorxh Bush”? Për institucionet e Kosovës, kurrë nuk kanë ble, gjatë qeverisjes së LVV-së, rrymë nga Vuk Hamoviqi. Kurrë hiç. Le t’i qet ato [dokumente] të doganave. Nëse kanë ble ndonjëherë [rrymë] institucionet direkt, le t’i prezanton. A këta kanë ble në kohë të pavarësisë. KEK-u direkt me Vuk Hamoviqin marrëveshje.” – deklaroi Kërçeli.
Ymeri i ka replikuar edhe Kërçelit duke e pyetur se a nuk po i beson institucionit të tij, duke nënkuptuar për Doganën, dhe duke e ftuar që mund t’i merrte dokumentet që ajo kishte nga Dogana në lidhje me importimin e energjisë elektrike siç pretendoi.
“Për financimin e fushatave, a e ki kryeprokurorin sipas zgjedhjes së kryeministrit? Mundesh me vazhdu ku financohen fushatat. Unë nuk jam si ju që s’foli veç pse dikush më udhëheq.” – tha Ymeri.



