Arrestimi i Macurës ndez debatin në Maqedoni: Kush e solli Alta Bankën?

Debat i ashpër për Alta Bankën në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut pas arrestimit në Serbi të pronarit të saj, Davor Macura, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës. Gjatë seancës mbikëqyrëse, kryeministri i vendit Hristijan Mickoski publikoi një dokument të Qeverisë së vitit 2023, duke pretenduar se qeveria e atëhershme LSDM-BDI i kishte hapur rrugë tjetërsimit të aksioneve shtetërore. Këtë interpretim e kundërshtoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, sipas të cilit vendimi synonte mbrojtjen e interesit shtetëror.

Mickoski publikoi një ekstrakt nga procesverbali i mbledhjes së 194-t të Qeverisë, të mbajtur më 24 tetor 2023. Ai pretendoi se qeveria e atëhershme i kishte hapur rrugë tjetërsimit të aksioneve shtetërore në Alta Bankën e Beogradit te biznesmeni Davor Macura.

Sipas kryeministrit maqedonas, ministri i atëhershëm i Financave, Fatmir Besimi, kishte paraqitur informacion lidhur me përfaqësimin e Ministrisë para institucioneve serbe për çështjen e aksioneve. Mickoski pyeti nëse pushteti i atëhershëm e dinte se kush ishte Macura dhe çfarë natyre kishte kapitali i bankës.

“Teza ime është se në vitin 2023, qeveria e LSDM-së dhe BDI-së kishte marrë vendim që ta obligojë Avokaturën Shtetërore të hyjë në komunikim me të njëjtin person, Davor Macura, dhe me Alta Bankën në Serbi, si dhe të vendosë marrëdhënie afariste me të. Qeveria juaj, zoti Venko Filipçe, së bashku me BDI-në, me propozim të ministrit të BDI-së, Fatmir Besimi, e kishte udhëzuar Avokaturën Shtetërore të vendosë marrëdhënie afariste me Davor Macurën, pronarin e Alta Bankës në Serbi, dhe të tjetërsojë aksionet në pronësi të Maqedonisë. Pra, shumë kohë para se Alta Banka të vinte në Maqedoni, ju si qeveri kishit vendosur marrëdhënie afariste me këtë person”, tha Mickoski.

“Kjo është kundërteza ime ndaj pretendimit tuaj se ne e kemi lejuar këtë. Në fakt, ju shumë më herët keni ditur për këtë person dhe kapitalin e tij dhe e keni futur shtetin në marrëdhënie afariste me të”, tha tutje Mickoski.


Filipçe e kundërshtoi këtë interpretim, duke thënë se dokumenti nuk përmban vendim për shitjen e aksioneve apo krijimin e marrëdhënieve afariste me Alta Bankën. Sipas tij, Qeveria kishte autorizuar Avokaturën e Shtetit të ndërmerrte veprime për mbrojtjen e interesave shtetërore, pasi aksionet e mbetura të Maqedonisë së Veriut ishin marrë pa pëlqimin e saj, në bazë të legjislacionit serb.

“Thjesht dhe vetëm bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave shtetërore”, tha Filipçe, duke kërkuar që Prokuroria Publike ta hetojë çështjen.

Lidhur me ketë reagoi edhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti. Ai tha se dokumenti dëshmon, sipas tij, se qeveria LSDM-BDI i kishte hapur rrugë institucionale ardhjes së Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut. Mexhiti e lidhi këtë me atë që e quajti shtrirje të “botës serbe” në politikë, nëntokë dhe sektorin financiar.

BDI-ja i quajti pretendimet manipulim, duke thënë se vendimi i vitit 2023 kishte për qëllim të pengonte shitjen e paautorizuar të pronës shtetërore. Partia pretendoi se vendimi i qeverisë aktuale i vitit 2025 kishte pasur qëllim tjetër dhe u kërkoi kundërshtarëve të merrnin përgjegjësi për veprimet e tyre.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, kritikoi VLEN-in, duke kujtuar se kjo parti ishte pjesë e Qeverisë kur Alta Banka hyri zyrtarisht në Maqedoninë e Veriut, në shtator të vitit 2025, dhe vazhdon të jetë pjesë e saj. Ai tha se Aleanca për Shqiptarët kishte paralajmëruar rrezikun e zgjerimit të ndikimit serb në sektorin financiar, por se vërejtjet nuk ishin marrë parasysh.

Çështja e Alta Bankës është bërë edhe më e ndjeshme pas arrestimit të Macurës në Serbi. Sipas Prokurorisë për Krimin e Organizuar në Serbi, Macura dhe dy punonjës të Alta Bankës u ndaluan më 2 nëntor nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës. Prokuroria dyshon se nga thesari i bankës janë nxjerrë rreth 45 miliardë dinarë, afërsisht 428 milionë dollarë. Macura është i dyshuar dhe akuzat ndaj tij nuk janë provuar në gjykatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.