
Rasti i Irina Cishiq, foshnjës njëvjeçare të vrarë nga snajperi, dhe dëshmitë për “vrasje për argëtim” rikthejnë dhimbjen e familjeve pas tre dekadash.
Irina Cishiq e festoi ditëlindjen e saj të parë më 8 tetor 1993. Vetëm katër ditë më vonë, një plumb snajperi ia mori jetën teksa ecte për dore me nënën e saj në lagjen Ciglane të Sarajevës së rrethuar. “Sepse Irina sapo kishte filluar të ecte, gruaja ime Stana e mbante për dore. Dhe kurrë nuk e kemi kuptuar pse dikush do të qëllonte një objektiv 50–60 centimetra, sa është një foshnje njëvjeçare, dhe jo gruan time – një shënjestër shumë më të lehtë,” rrëfen për Radion Evropa e Lirë babai i saj, Samir Cishiq.
Prej tridhjetë vitesh, familja Cishiq kërkon të dijë nëse Irina u vra rastësisht apo në kuadër të vrasjeve “për argëtim”, të cilat tashmë janë objekt i një hetimi ndërkombëtar.
Ditët e fundit, raportimet e mediave italiane – përfshirë Il Giorno, La Repubblica dhe agjencinë ANSA – kanë rihapur plagët e vjetra. Prokuroria e Milanos po heton pretendimet se persona të pasur nga vende të ndryshme paguanin shuma të mëdha për të qëlluar civilët e Sarajevës gjatë rrethimit. Nuk dihet ende në çfarë faze është hetimi dhe ndaj kujt drejtohen dyshimet.
Gjatë katër viteve të rrethimit, sipas të dhënave të organizatave të viktimave dhe vendimeve ndërkombëtare, një në dhjetë fëmijë të vrarë në Sarajevë humbi jetën nga snajperistët, ndërsa mbi 14.000 fëmijë u plagosën. Deri më sot, asnjë snajperist nuk është dënuar individualisht për këto sulme.
Gjykata e Hagës ka konstatuar në aktgjykimet e saj se fushata e snajperëve kishte për qëllim terrorizimin e popullatës civile të Sarajevës. Florence Hartmann, ish-zëdhënëse e Prokurorisë së Hagës, tha për REL se tribunali ishte në dijeni të zërave për “ekspedita turistike të vdekjes”. “E dinim që diçka e tillë ekzistonte, por jo si ishte organizuar. Hetimi i sotëm është jashtëzakonisht i rëndësishëm – duhet zbuluar kush i organizoi,” u shpreh ajo.
Benjamina Kariq, kryetare e Komunës Novo Sarajevo, ishte vetëm njëvjeçare kur filloi lufta. Pas shikimit të dokumentarit “Sarajevo Safari” në vitin 2022, ajo paraqiti kallëzim penal në Prokurorinë e Bosnjës dhe më vonë edhe në atë italiane. “Kur mendon se njerëzit e pasur vinin të shtunave e të dielave në Sarajevë për të vrarë fëmijët tanë – është diçka më e errët se çdo imagjinatë njerëzore,” tha ajo për REL.
Meqë nuk kishte marrë përgjigje deri në mesin e vitit 2025, Kariq dorëzoi një plotësim të kallëzimit përmes Ambasadës së Italisë në Bosnje, duke përfshirë prova të reja të siguruara nga gazetari italian Ezio Gavazzeni. Pikërisht ai, së bashku me ish-gjyqtarin Guido Salvini, i hapi rrugë hetimit në Milano.
“Gjithçka që po ndodh këto ditë na jep një grimë shprese se një pjesë e drejtësisë më në fund do të vihet në vend,” theksoi Kariq.



