
Vjosën në të gjitha pozitat kryesore institucionale e ka vendosur LDK-ja. Pa votat e LDK-së Vjosa s’do të bëhej kryeparlamentare dhe pa kuorumin e LDK-së s’do të bëhej Presidente. Albini vetëm në partneritet me LDK-në dhe pastaj Vjosën u bë dhe mbeti kryeministër.
A E BËRI ALBIN Kurti Vjosa Osmanin Presidente, apo Vjosa e bëri Albinin kryeministër?
Kjo pyetje shohim të anashkalohet, por në realitet është një nga keqkuptimet më të zakonshme që qarkullojnë në opinionin publik dhe në narrativat e politikës kosovare. Tash që Albini nuk e dëshiron më Vjosën për Presidente, Lëvizja Vetëvendosje! po përhap një histori të re: se gjoja Albini e ka bërë Vjosën Presidente. Një histori e bukur për propagandë, por e paqartë dhe larg së vërtetës. Në fakt, kur shikohen të dhënat dhe faktet, e vërteta duket krejt ndryshe: në këtë marrëdhënie politike, më shumë ka përfituar Albini nga Vjosa sesa Vjosa nga Albini.
E VËRTETA EMPIRIKE është se Vjosën në të gjitha pozitat kryesore institucionale e ka vendosur Lidhja Demokratike e Kosovës. Edhe pse shpesh harrohet, kjo nuk e zhbën faktin se çdo ngritje e saj – si kryetare e Kuvendit apo më pas si Presidente – ka kaluar përmes mekanizmave dhe votave të LDK-së. Herën e fundit kur Vjosa ishte kundërkandidate e drejtpërdrejtë e Albin Kurtit, si bartëse e listës së LDK-së, ajo mori 176,016 vota. Kurti mori vetëm rreth 7,800 vota më shumë – 183,868. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, LDK-ja me Vjosën fitoi 28 deputetë, ndërsa LVV-ja e Kurtit 29. Diferenca ishte minimale, por e mjaftueshme për të kuptuar një fakt të rëndësishëm: suksesi i Kurtit nuk ishte një arritje spektakulare, ai ndodhi në një kontekst të caktuar politik dhe bashkëpunimi me LDK-në. Ishte LDK-ja ajo që për herë të parë e nominoi dhe e bëri Vjosën kryetare të Kuvendit – një nga tri pozitat më të rëndësishme në shtet. Kjo u bë edhe me votat e LVV-së, por pa mbështetjen e LDK-së, asgjë nuk do të kishte ndodhur. Po ashtu, për herë të parë, Kurti u bë kryeministër më 3 shkurt 2020, pikërisht me votat e LDK-së. Ky fakt tregon se koalicionet dhe marrëveshjet politike kanë qenë gjithmonë më të rëndësishme se narrativat për Kurtin si superlojtar politik. Është edhe një fakt që shpesh lihet në hije: Vjosa nuk do të bëhej Presidente më 4 prill 2021 pa ndihmën e LDK-së për krijimin e kuorumit. Pra, pa LDK-në dhe vetëm me LVV-në, Vjosa nuk do të ishte Presidente. Ky detaj tregon qartë se narrativat që përpiqen ta shesin si “zhvillim të pavarur” të Vjosës dhe LVV-së, pa rolin e LDK-së, shpesh janë të ekzagjeruara. Nëse LDK-ja s’do të qëndronte në sallë, as Vjosa nuk do të bëhej Presidente dhe as Albini nuk do të vazhdonte mandatin e plotë si kryeministër.
POR HISTORIA NUK ndalet vetëm këtu – te pozitat më të larta institucionale. Në planin elektoral, bashkëpunimi me Vjosën ishte një lëvizje bukur e mençur taktike e Kurtit. Para se të bëheshin partnerë politikë, LVV-ja nuk kishte arritur kurrë të kalonte pragun e 27.5%. Me Vjosën në krah, rezultati shpërtheu: 50.28% në vitin 2021, pastaj 42.3% në zgjedhjet e shkurtit dhe 51.1% në dhjetor 2025.
Natyrisht, në këto rezultate kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë – luhatjet e opinionit publik, efekti i krizave ekonomike dhe social-politike, pandemia e Covid-19, situata ndërkombëtare etj. – por një fakt mbetet i pamohueshëm: para se të bëheshin bashkë Kurti dhe Osmani, LVV-ja nuk kishte fituar kurrë zgjedhje. Madje në vitin 2019 pati rënie në 26.3%, krahasuar me 27.5% që kishte marrë në 2017. Pra, partneriteti me Vjosën nuk ishte vetëm një episod i zakonshëm bashkëpunimi, por një strategji investive që solli përfitime të qarta zgjedhore asnjëherë më parë të arritshme për Kurtin.
IRONIA ËSHTË E DUKSHME: sa kohë që Vjosa ishte Presidente, Kurti ishte i vetmi kryeministër i Kosovës. Por tash që Kurti vazhdon sërish si kryeministër, Vjosa nuk do të jetë Presidente edhe për një mandat tjetër – sepse Kurti as nuk e nominoi. Çfarë do të ndodhte nëse Vjosa garonte sërish si kundërkandidate e Kurtit, kjo mbetet për t’u parë nëse ajo përshihet në ndonjë garë zgjedhore. Por një gjë është e qartë: në partneritet politik mes tyre, më shumë ka përfituar Albini nga Vjosa sesa Vjosa nga Albini.



