
Shkalla e vdekshmërisë arrin deri në 75%, ekspertët paralajmërojnë rrezik nga përhapja përmes udhëtimeve dhe kontaktit me kafshë.
Një shpërthim i virusit vdekjeprurës “Nipah” në Indi ka ngritur alarmin në të gjithë rajonin, duke detyruar disa shtete aziatike të shtojnë masat e sigurisë dhe kontrollet shëndetësore në aeroporte dhe pika kufitare.
Sipas raportimeve, ky virus ka një shkallë vdekshmërie që arrin deri në 75 për qind, çka e bën atë një nga viruset më të rrezikshme infektive të njohura deri më tani, transmeton Klankosova.tv.
Në emisionin “Kosova Today”, mjekja Aurora Dollenberg theksoi se aktualisht në Evropë nuk janë dokumentuar raste me virusin “Nipah”, por rreziku mbetet i pranishëm për shkak të lëvizjeve të shpeshta të udhëtarëve.
“Virusi transmetohet shumë lehtë. Mjafton që pasagjerët që udhëtojnë nga India të jenë të paidentifikuar me virusin dhe përhapja mund të ndodhë shpejt”, deklaroi ajo.
Sipas saj, përveç transmetimit nga njeriu te njeriu, “Nipah” mund të përhapet edhe nga kafshët te njerëzit, duke e bërë edhe më të vështirë kontrollin e situatës. Autoritetet shëndetësore po bëjnë thirrje për vigjilencë dhe respektim të masave parandaluese për të shmangur përhapjen e mundshme të virusit.



