
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ftuar qytetarët që të kontrollojnë njehsorët e tyre elektrikë, duke ngritur shqetësime për keqmatje të mundshme të konsumit të energjisë.
Ai i është referuar pretendimeve të anëtarit të LDK-së, Visar Azemi, sipas të cilave njehsorët aktualë mund të jenë duke llogaritur gabimisht konsumin, duke i faturuar qytetarët më shtrenjtë.
Në një reagim publik, Abdixhiku ka theksuar se situata është alarmante dhe se qytetarët mund të jenë duke paguar më shumë jo për shkak të konsumit të lartë, por për shkak të gabimeve në sistemin e matjes. Sipas tij, verifikimi i 884 njehsorëve nga aktivistët e LDK-së ka treguar se rreth 87% e tyre llogarisin kohën gabimisht, duke aplikuar tarifa të larta edhe gjatë orëve të natës.
“Kur shteti dështon, padrejtësia hyn në çdo shtëpi. Kjo nuk është më rastësi, por dështim sistemik”, ka deklaruar ai.
Postimi i plotë:
Kur shteti dështon, padrejtësia hyn në çdo shtëpi.
Ajo që u prezantua dje në konferencë nga Departamenti ynë për Energji, përmes anëtarit tonë Visar Azemi, është alarmante. Qytetarët po paguajnë më shtrenjtë jo sepse konsumojnë më shumë, por sepse sistemi i matjes po keqllogaritë.
Nga verifikimi i 884 njehsorëve që aktivistët tanë kanë bërë, 87% rezultojnë të llogarisin kohën gabimisht, duke faturuar energjinë me tarifë të shtrenjtë edhe gjatë orëve të natës. Kjo nuk është më rastësi. Është dështim sistemik.
Prandaj, LDK i fton qytetarët të kontrollojnë njehsorët e tyre. Ne zotohemi se këtë çështje do ta ndjekim në të gjitha nivelet institucionale, deri në vendosjen e drejtësisë për çdo qytetar.
LDK kërkon hetim të menjëhershëm, përgjegjësi institucionale, kompensim për qytetarët dhe ndaljen e çdo rritjeje të tarifave deri në zbardhjen e plotë të gjendjes reale.



