
Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, ka folur në lidhje me zhvillimet politike në Kosovë.
Abdixhiku ka sqaruar se nuk është folur për emra me kryeministrin Albin Kurti për presidentin e ardhshëm të Kosovës.
Abdixhiku ka vlerësuar se raportimet e deklaratat për emra janë spekulime.
“Kam dëgjuar shumë spekulime dje. Janë vetëm spekulime, nuk janë të vërteta. Pra, nuk kemi folur për emra, aq më pak për emrin tim. Pra kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam dërguar përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështet një skenar në të cilin të tri kandidaturat, të tri pozicionet shtetërore i takojnë një partie politike”, tha ai.
“Tani shohim gjatë javës së ardhshme për të parë mundësinë e takimeve të tjera. Kaq është e vërteta, nuk ka zhvillime të tjera. Nuk kemi propozuar emër, nuk kemi dhënë asgjë, dhe nuk na është kërkuar ende asgjë. Kjo është e vërteta e vetme. Dhe mbi këtë të vërtetë do shohim se si do zhvillohen çështjet tutje”, tha ai.
“Po s’e kemi gjetur. I kemi harxhuar diku 30 ditë para afatit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk kemi arritur të gjejmë një president konsensual. Pra, fillimisht duhet të flasim për parimet. Pra si duket ai president? A duhet të ketë marrëveshje mes LDK-së dhe Vetëvendosjes apo partive të tjera? Pra është çështje, në qoftë se ka marrëveshje, atëherë gjenden edhe emrat. Në qoftë se mendoni a ka kandidatë, ka mjaft. Çdo i dyti qytetar ka pasur qenë i mirë për të qenë president. Besoj që Vjosa Osmani ka qenë një kandidate e shkëlqyeshme”, tha ai.



