
Kreu i LDK-së thotë se vendimi mbron rendin kushtetues dhe paralajmëron gatishmëri për konsultime rreth datës së zgjedhjeve.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbështetur dhe mirëpritur dekretin e presidentes së Republikës, Vjosa Osmani Sadriu, për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Përmes një reagimi, Abdixhiku tha se një vendim i tillë ka qenë i pritshëm, duke vlerësuar, sipas tij, përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar nga presidentja në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës.
Sipas tij, dështimi politik dhe tendencat për imponim e improvizim nuk mund të prodhojnë debate artificiale politike apo zvarritje procedurale që do ta shndërronin Kosovën në një vend pa norma dhe pa rregulla.
Në këtë frymë, Abdixhiku theksoi se LDK-ja është e gatshme të marrë pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’u drejtohet qytetarëve për një zgjidhje të re demokratike.
Ai shtoi se zgjedhjet nuk kanë qenë alternativa e preferuar e LDK-së, duke i cilësuar ato si të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme.
“Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual. Tani vendimi i takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit”, ka deklaruar Abdixhiku.



