
Kryetari i LDK-së kalon një mbrëmje me asambleistet dhe kandidatet gra, duke theksuar rolin e tyre vendimtar në ndryshimet e ardhshme politike.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim me aktiviste, asambleiste dhe kandidate gra të partisë, të cilat i cilësoi si shtylla kryesore të angazhimit qytetar dhe politik. Abdixhiku tha se e ardhmja që Kosova dëshiron fillon me përfshirjen e grave dhe se forca e ndryshimit nis pikërisht prej tyre.
Në mbrëmjen e organizuar, ku morën pjesë 76 asambleistet e zgjedhura nga zgjedhjet lokale si dhe 37 kandidate të listës për zgjedhjet e ardhshme, Abdixhiku vlerësoi profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e tyre. Ai u shpreh se në çdo bashkëbisedim ka parë dashuri për vendin dhe vendosmëri për ta çuar Kosovën përpara.
“Me to, rrugëtimi ynë bëhet më i drejtë, më i mençur dhe shumë më i fuqishëm,” deklaroi ai, duke shtuar se Kosova ka nevojë për zërin dhe energjinë që sjellin gratë aktiviste.
Gjatë takimit u diskutua për angazhimin në terren, takimet me familje dhe me gra nëpër komunat e Kosovës, si dhe për rëndësinë që figura e gruas aktiviste të shërbejë si shembull për vajzat e reja.
Abdixhiku theksoi se rikthimi i shpresës për vendin do të bëhet së bashku, me gratë në ballë të ndryshimit.



