
Kreu i LDK-së thotë se Kurti nuk ofroi emra dhe nuk po tregon gatishmëri për marrëveshje për presidentin.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka folur pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Abdixhiku deklaroi se LDK-ja nuk ka qëndrim refuzues ndaj presidentes aktuale, Vjosa Osmani, duke theksuar se partia e tij është e hapur për diskutime.
Megjithatë, ai bëri të ditur se Kurti ka kërkuar që, në rast të një marrëveshjeje me një parti, të sigurohen 85 vota në Kuvend për zgjedhjen e presidentit. Sipas Abdixhikut, kryeministri nuk ka ofruar emra konkretë për këtë post dhe, në vlerësimin e tij, nuk ka shfaqur gatishmëri për një marrëveshje politike.



