Abdixhiku shpalos detajet e programit: Mbështetje financiare dhe arsimore nga lindja deri në punësim

Kryetari i LDK-së prezanton paketën e masave që parasheh ndihmë mujore për fëmijët, investime në çerdhe, arsim modern dhe punësim të garantuar për të sapodiplomuarit.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka publikuar detaje shtesë të programit të tij qeverisës të quajtur “Kontrata e Jetës me Shtetin”, një vizion që synon mbështetjen e qytetarëve në çdo fazë të jetës, nga lindja deri në integrimin në tregun e punës.

banner

Sipas planit të prezantuar, shteti do të ofrojë mbështetje financiare prej 200 euro në muaj për çdo të porsalindur nga mosha 0 deri në 1 vjeç, që përkthehet në 2.400 euro në vit. Për fëmijët nga 1 deri në 5 vjeç parashihet ndërtimi i 80 çerdheve të reja, si dhe një shtesë mujore prej 50 eurosh.

Në grupmoshën 6–11 vjeç, programi parasheh mësim tërëditor në shkolla, shujta të ngrohta dhe një shtesë prej 50 eurosh në muaj, ndërsa për moshën 11–16 vjeç parashihet përfshirja e programimit, kodimit dhe inteligjencës artificiale në sistemin arsimor, sërish me shtesë mujore prej 50 eurosh.

Për të rinjtë nga 16 deri në 21 vjeç, Abdixhiku ka paralajmëruar 40 mijë trajnime në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT), ndërsa për moshat mbi 21 vjeç është paraparë punësim i garantuar për të sapodiplomuarit, me mbështetje financiare prej 500 euro në muaj për një periudhë prej 6 deri në 12 muaj.

Abdixhiku ka theksuar se ky program synon ta shndërrojë shtetin në partner të qytetarit dhe jo vetëm në një institucion që aktivizohet gjatë fushatave zgjedhore. Ai ka bërë thirrje për mbështetje elektorale, duke theksuar se “LDK ka plan, ka ekip dhe ka vullnet”, ndërsa numri zgjedhor i partisë është 123.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.