
Temperaturat mbesin nën zero, me minimale deri në -11°C dhe ndryshim të drejtimit të erës nga e marta.
Ditën e diel, reshjet e borës do të vazhdojnë lokalisht dhe herë pas here, ndërsa në pjesët perëndimore të vendit pritet shpërndarje graduale e vranësirave. Temperaturat do të mbesin në vlera negative, duke u luhatur ndërmjet -5°C dhe -2°C.
Të hënën do të mbajë acar i fortë, me temperatura minimale që zbresin deri në -11°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë vetëm nga -4°C deri në -2°C. Në pjesët perëndimore do të ketë më shpesh intervale me diell, kurse në pjesët lindore do të dominojnë vranësirat, me mundësi për reshje të dobëta bore kohëpaskohe.
Të martën, vranësirat do të dominojnë në shumicën e vendit, ndërsa temperaturat maksimale shënojnë një rritje të lehtë, duke arritur në 0°C dhe 2°C.
Sipas njoftimit nga “Mendimi për Motin”, të hënën do të fryjë erë e lehtë deri mesatare veriperëndimore me shpejtësi 3-8 m/s. Nga dita e martë, era ndryshon drejtimin në krahun jugor dhe do të fryjë e lehtë me shpejtësi 1-4 m/s.



