Adelina e Festimi: Si e nisi furishëm LDK-ja garën e aderimeve?

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka nisur garën e aderimeve. Madje, goxha furishëm. Në fakt, është e vetmja parti që aktualisht ka zyrtarizuar dy aderime për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen me 28 dhjetorit. Si e nisi LDK-ja e Lumir Abdixhikut garën e aderimeve?

Në çdo palë zgjedhjesh nacionale në Kosovë, ekziston edhe një garë, ndonëse jozyrtare, në mes partive. Është gara e aderimeve. Pra kush ku po aderon. Aderimet janë një shënjues edhe për reformat partiake, potencialin joshësh të partisë dhe përgatitjet për zgjedhje.

banner

Në këtë garë, aktualisht e vetmja parti aktive LDK-ja, e cila ka zyrtarizuar dy aderime, shkruan Gazeta Politika.

Aderimi nr. 1: Festim Kabashi

I pari që e nisi aderimet në LDK ishte Festim Kabashi, një gazetar i njohur, tashmë veteran në këtë zeje. Kabashi u mirëprit nga Abdixhiku, e cili e vlerësoi lartë figurën e ish-gazetarit Kabashi si një nga emrat “më të spikatur të gazetarisë”.

Abdixhiku shkroi se kjo ardhje e Kabashit “le të shihet si një tregues” për bashkëpunim të secilit.

“Festimi sot nisë një etapë të re në karrierën e tij politike. Angazhimin fisnik për Republikën. LDK sot e fiton një kuadër të ri, që beson në vlerat tona, rrugëtimin tonë e ekipin që kemi.

Ardhja e tij, dhe të tjerëve pas tij, le të shihet si një tregues dhe njëkohësisht thirrje për përbashkim të secilit i cili nuk ndjenë komfort me situatën e tanishme politke; që do ndryshim e që angazhohet për këtë ndryshim” – shkroi Abdixhiku, transmeton Gazeta Politika.

Aderimi nr. 2: Adelina Thaçi – Meta

Dita e premte doli të ishte “e bekuar” për LDK-në, pasi e zyrtarizoi edhe një tjetër aderim. Në LDK, u anëtarësua Adelina Thaçi – Meta, soprano dhe një prej artisteve më të njohura të skenës muzikore shqiptare, përfshirë muzikën klasike.

Abdixhiku e mirëpriti zonjën Adelina, duke konsideruar se ajo do të sjell profesionalizëm në LDK.

“LDK fiton sot një kuadër të çmuar një artiste që beson në vlerat tona, në rrugëtimin tonë dhe në misionin për të ndërtuar një Kosovë me më shumë kulturë dhe zhvillim.

Ardhja e saj, dhe e shumë të tjerëve që po na bashkohen, është një thirrje për bashkim të secilit që beson se vendi meriton më shumë; që dëshiron ndryshim e që angazhohet për të” – shkroi Abdixhiku, transmeton Gazeta Politika.

Përveç aderimeve zyrtare, në media është spekuluar për mundësinë e anëtarësimit të Ermal Sadikut, inxhinier dhe analist, në LDK. Ende nuk ka asgjë zyrtare rreth aderimit të Sadikut në LDK.

Megjithatë, LDK-ja e ka nisur furishëm garën e aderimeve dhe nuk dihet nëse Adelina e Festimi janë aderimet e fundit në partinë e udhëhequr nga Abdixhikut. Sidoqoftë, Gazeta Politika do të vazhdojë të raportojë për aderimet në LDK dhe në partitë e tjera, nëse do të ketë të tilla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.