
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e konsideron të papranueshme gjuhën e ulët të zëvendëskryeministres në detyrë ndaj mediave.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas deklaratave të zëvendëskryeministres në detyrë, Donika Gërvalla, duke i cilësuar sulmet e saj ndaj Televizionit 7 dhe gazetarit Leonard Kërquki, autor i emisionit Pressing, si të papranueshme dhe të padinjitetshme për postin që mban.
AGK-ja dënoi përdorimin e një fjalori të ulët nga një zyrtare e lartë të shtetit, duke theksuar se kjo synon të minojë punën e mediave dhe të gazetarëve, në një medium ku vetë Gërvalla kishte dhënë intervistë.
Asociacioni i Gazetarëve ftoi zyrtarët e Qeverisë në detyrë dhe përfaqësuesit e partisë shumicë të mandatit të kaluar që të tregojnë përmbajtje në reagimet publike dhe të shmangin sulmet frontale ndaj mediave.
Po ashtu, AGK-ja theksoi se çdo formë dhune ose mungesë tolerancë gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta të debateve politike është e papranueshme.



