Agron Demi kritikon “Kangën e Hykmetes”: Glorifikim i dhúnës dhe fèmicidit

Aktivisti i shoqërisë civile thotë se versioni i ri i këngës vetëm e modernizon një narrativë të rrezikshme që nxit normalizimin e dhunës në familje.

Aktivisti nga shoqëria civile, Agron Demi, ka reaguar ashpër ndaj një versioni të ri të “Kangës së Hykmetes” nga “Rezon”, duke e cilësuar atë si një glorifikim të dhunës në familje dhe vrasjes në emër të nderit. Përmes një postimi, Demi ka thënë se për herë të parë i ka kushtuar vëmendje përmbajtjes së tekstit, duke vlerësuar se ajo përçon një mesazh tejet të rrezikshëm.

banner

Sipas tij, historia që kënga paraqet është rrëfim i një akti ekstrem dhune të kryer nga Hasan Fazlia, i cili, pasi kishte emigruar në Sarajevë dhe ishte martuar me një grua boshnjake, kishte rritur vajzën e tij Hykmeten nën presionin se “duhet me ia marrë izën babës për martesë” që “mos me i shku fytyra”.

Demi tregon se Hykmetja më vonë martohet me një doktor dhe zhvendoset me të në Zarë për të nisur një jetë të qetë. Por Fazlia, i shtyrë nga konceptet e nderit dhe fytyrës, udhëton deri atje dhe përballet me dhëndrin e tij, duke i folur me tone kërcënuese e përçmuese. Sipas variantit të këngës, “trimëria shqiptare” që ai pretendon të ruajë përfundon me vrasjen e dhëndrit, vajzës dhe në fund vetëvrasjen.

Akti ‘trimnie’ i Hasan Fazlisë, për të cilin është kënduar një këngë gati gjysmë ore, është në fakt akt brutal dhune,” ka deklaruar Demi, duke pyetur hapur pse një histori e tillë është ngritur në nivel heroizmi kulturor.

Ai shtoi se këngë të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në normalizimin e kulturës së dhunës dhe se kjo reflektohet në institucionet e drejtësisë.

“Pastaj çuditemi pse po shtohen vrasjet e grave, pse policia vonohet me marrë masa dhe pse gjykatat lirojnë dhunues e vrasës,” shkroi ai, duke theksuar se edhe në odat tradicionale e veturat me xhama të zi vazhdohet të glorifikohet “trimnia” e Fazlisë.

Demi kritikoi edhe përpjekjen e fundit për “modernizimin” e këngës, duke thënë se ajo vetëm e ripaketon për klubet e natës, duke ndikuar tek të rinjtë që ai i quan “kullerat”.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.