
Gazeta e Zvicrës “NZZ” gjatë ditës raportoi për takimet në mes Besnik Bislimit, kryenegociator i Kosovës, dhe Marko Gjuriqit, ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë, e që mbahen në kuadër të një organizimi nga shteti zvicëran, tashmë me traditë 15 vjeçare.
“NZZ” ka pasur një kritikë ndaj Kosovës, duke e portretuar qeverinë e kryeministrit Albin Kurti si shtypëse ndaj serbëve lokal.
“Konflikti ka kohë që vlon dhe është intensifikuar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008. Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndjek një politikë të ashpër ndaj pakicës serbe, gjë që ka shtyrë BE-në të vendosë sanksione. Pakica vuan nga masat e njëanshme të Prishtinës” – ka shkruar NZZ, ndër të tjera.
“Si presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe Kurti, e shfrytëzojnë konfliktin për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme. Një ndryshim kursi nuk pritet. Partia e Kurtit fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare në fund të dhjetorit. Ndërsa Vuçiq, pavarësisht protestave, mbetet fort në pushtet” – vazhdon NZZ.



