Albin Kurti: 28 Nëntori është nyja historike që bashkon shekujt e lirisë shqiptare

Kryeministri i Kosovës thekson se asnjë komb tjetër nuk e ka fatin e vet më të lidhur me një datë se sa shqiptarët me 28 Nëntorin, duke e quajtur këtë ditë shenjë të shenjtë të kalendarit kombëtar.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një mesazh të veçantë për Ditën e Flamurit, ka deklaruar se nuk ka komb tjetër në botë që ta ketë fatin e vet të ndërthurur kaq fort me një datë të caktuar, ashtu si shqiptarët me 28 Nëntorin. Sipas tij, kjo ditë, e cila nisi si një “aksident historik” në vitin 1443 kur mbi Kështjellën e Krujës u ngrit flamuri i Kastriotëve, është shndërruar në një shenjë të shenjtë të kalendarit kombëtar, duke u bërë boshti i rrugës së lirisë sonë.

banner

Kurti rikujtoi se më 28 nëntor 1912 flamuri u ngrit sërish në Vlorë, duke shpallur pavarësinë e Shqipërisë dhe duke materializuar një pjesë të projektit kombëtar të Sami Frashërit për ruajtjen e gjuhës, kombësisë dhe moscopëtimin e trojeve shqiptare. Ai solli në vëmendje edhe fjalët e Luigj Gurakuqit në vitin 1913, i cili shprehej se pavarësia erdhi si një dhuratë e papritur në një vit të mbushur me sfida dhe trazime.

Kryeministri nënvizoi se historia e 28 Nëntorit vazhdoi edhe në Kosovë, duke përkujtuar lindjen e Adem Jasharit më 28 nëntor 1955 dhe daljen publike të UÇK-së më 28 nëntor 1997, ngjarje që sipas tij e forcuan rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai tha se sakrificat e brezave u kurorëzuan me dy shtete shqiptare të pavarura: Shqipërinë dhe Kosovën.

Në përmbyllje të mesazhit, Kurti theksoi se shqiptarët, si komb evropian, duhet të shikojnë drejt së ardhmes me përkushtim të pandërprerë për të ardhur te “Nëntori i Tretë”, simbol i përmbushjes së amanetit të të gjithë atdhetarëve.

“Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!”, përfundon mesazhi i tij.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.