
VETËVENDOSJE! fiton qeverisjen në shtatë komuna, Kurti thekson përgjegjësinë dhe sfidat që presin.
Kryeministri Albin Kurti falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen e tyre në balotazhin e djeshëm, duke theksuar se çdo votë tregoi vullnet dhe pjekuri qytetare. Ai u bëri thirrje qytetarëve të mbajnë përgjegjës kryetarët për premtimet dhe gjendjen e komunave, duke u bërë pjesë e forcimit të demokracisë në vend.
“Ju falemnderit për pjesëmarrje dhe për kontributin tuaj në demokracinë e Kosovës,” tha Kurti.
Duke iu drejtuar aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s, Kurti njoftoi se lëvizja do të qeverisë në shtatë komuna, më shumë se kurrë më parë. Ai falënderoi secilin aktivist për angazhimin dhe përkushtimin e tyre, duke theksuar se përpara tyre ndodhen sfida të mëdha, por edhe mundësi për suksese dhe fitore.
“Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore,” përfundoi Kurti.



