Albin Kurti i shpreh ngushëllime familjes Kasapi pas vdekjes së Shpat Kasapit

Kryeministri në detyrë e cilëson artistin e ndjerë si një figurë që ka bashkuar breza dhe mbarëshqiptarë me muzikën e tij.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjes Kasapi pas lajmit të ndarjes nga jeta të këngëtarit të njohur, Shpat Kasapi. Në telegramin e tij, Kurti vlerësoi kontributin, energjinë dhe ndikimin muzikor të artistit që ka shoqëruar breza të tërë shqiptarësh.

banner

“Humbja e tij na ka prekur të gjithëve, pa marrë parasysh profesionet apo gjeneratat. Shumë breza të pasluftës janë rritur me figurën e tij dhe këngët emblematike. Ai ka mbajtur një vend të veçantë në zemrat e të gjithëve si një djalë punëtor, i qeshur dhe shumë karizmatik,” ka shkruar Kurti.

Në telegramin e plotë drejtuar familjes Kasapi, Kurti theksoi se lajmi i ndarjes së parakohshme të artistit ishte i dhembshëm dhe i pabesueshëm, duke kujtuar energjinë dhe gjallërinë që Shpati rrezatonte gjithmonë. Ai e përshkroi Kasapin si një nga figurat më të dashura të komunitetit artistik, të cilin kolegët e kujtojnë vetëm me fjalë të mira.

Sipas Kurtit, muzika e Shpat Kasapit ka bashkuar shqiptarët kudo, veçanërisht ata të Kosovës, Luginës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke e bërë kontributin e tij të paharrueshëm dhe të pashlyeshëm.

Në fund, ai u shprehu ngushëllime të thella familjarëve, komunitetit artistik, miqve dhe bashkëpunëtorëve të artistit, duke përmendur posaçërisht zonjën Gjylymser, zonjën Selvije dhe djalin Roel, të cilëve u uroi forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.