
Ambasada Gjermane dënon gjuhën agresive të Sami Kurteshit ndaj gazetarëve dhe AGK-së.
Diplomacia gjermane i bashkohet reagimit të Zyrës së BE-së, duke e cilësuar retorikën e Kurteshit si sulm ndaj lirisë së shtypit dhe sigurisë së gazetarëve.
Ambasada Gjermane në Prishtinë ka reaguar ndaj gjuhës dhe sulmeve të anëtarit të Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, drejtuar gazetarëve dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Ambasada iu bashkua reagimit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, duke e dënuar një retorikë të tillë si të papranueshme dhe të rrezikshme për lirinë e medias.
“Krahasimi i Asociacionit të Gazetarëve (AGK) me një grup kriminal nuk është vetëm i pahijshëm, por edhe një sulm ndaj lirisë së medias,” thuhet në reagimin e ambasadës.
Përveç ambasadës gjermane, gjuhën agresive të Kurteshit e kanë dënuar edhe misione të tjera ndërkombëtare në Kosovë si dhe organizata që mbrojnë të drejtat e gazetarëve.
Kurteshi, në një deklaratë publike, e quajti AGK-në “Aleancë të Grupeve Kriminale”, duke listuar disa media të cilat, sipas tij, funksionojnë si “vrasës me pagesë.”
AGK ka reaguar duke thënë se këto akuza janë të pabaza dhe përbëjnë rrezik real për sulme të mundshme ndaj gazetarëve në terren. Sipas organizatës, etiketime të tilla jo vetëm që dëmtojnë reputacionin e profesionistëve të medias, por nxisin edhe klimë armiqësore ndaj tyre.
Ambasada Gjermane, në një postim të ndarë, ka theksuar rëndësinë e mediave si “shtylla e katërt e demokracisë,” duke kujtuar fjalimin e ambasadorit Rainer Rudolph në Konferencën e Transmetuesve të Shërbimit Publik në Europën Juglindore, organizuar nga Konrad-Adenauer-Stiftung.
“Mediat e shërbimit publik përballen me sfida institucionale dhe buxhetore që pengojnë punën e tyre. Edhe mediat e pavarura përballen me vështirësi për shkak të tregjeve që po tkurret dhe shkurtimit të fondeve. Dezinformimi dhe inteligjenca artificiale e komplikojnë edhe më tej peizazhin mediatik. Forcimi i mediave publike dhe i gazetarisë së pavarur është thelbësor që demokracia të lulëzojë. Le të punojmë së bashku për të siguruar që media të mbetet një mbrojtëse e besueshme e së vërtetës,” thuhet në reagim.



