
Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, e ka quajtur të rëndësishme zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe për Automjetet. Ai ka theksuar se ky përparim është kyç.
Qeveria e Kosovës është pajtuar të ofrojë lehtësira të përkohshme për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente kosovare, në kuadër të zbatimit të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet, të cilat pritet të hyjnë plotësisht në fuqi nga e diela (nesër).
“Është mirë të shohësh një marrëveshje se si të zbatohen Ligjet e Kosovës për të Huajt dhe Automjetet. Sigurimi i lejeve të qëndrimit dhe punës për punëtorët dhe studentët, shmangia e ndërprerjes së shërbimeve shëndetësore dhe arsimore dhe zgjidhjet praktike për lëshimin e dokumenteve për të gjithë qytetarët e Kosovës kanë rëndësi. Ndërtimi mbi këtë përparim do të jetë thelbësor”, ka shkruar Rudolph.
Sipas marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës me BE-në, punëtorëve serbë të arsimit dhe shëndetësisë, si dhe studentëve, do t’u mundësohet marrja e një leje të përkohshme qëndrimi me një periudhë fillestare prej 12 muajsh, si dhe njohja e letërnjoftimeve që posedojnë, deri në një zgjidhje të mëtejshme.



