
Këngëtarja e njohur prezanton hapësirën e re për biseda të sinqerta mbi jetën, kulturën dhe përditshmërinë, ku sipas saj “vetëm e vërteta flet”.
Këngëtarja e njohur kosovare, Ana Kabashi, ka njoftuar nisjen e një projekti të ri mediatik në Gazetën Politika. Ajo ka lançuar podcastin e titulluar “Amor Fati”, i cili synon të sjellë biseda të hapura e të sinqerta mbi jetën, kulturën dhe tema të rëndësishme të momentit.
“Unë jam Ana Kabashi dhe ky është podcasti më i ri i titulluar Amor Fati. Një hapësirë ku vetëm e vërteta flet, pa filtra, vetëm biseda të sinqerta për jetën, kulturën dhe gjithçka tjetër të rëndësishme. Kjo nuk do të jetë platformë vetëm e imja, por e përbashkët,” ka deklaruar këngëtarja.
Kabashi ka shpjeguar edhe arsyen e zgjedhjes së titullit. Amor Fati është një shprehje latine që nënkupton “dashurinë ndaj fatit” ose “pranimin e plotë të fatit”. Sipas saj, kjo filozofi stoike nxit pranimin e të mirës dhe të keqes si pjesë të pandashme të jetës dhe të rritjes personale.
“Gjithçka fillon prej teje, prej brendësisë dhe vizionit tënd. Ne duhet të zgjedhim ta duam jetën ashtu si është, me të mirat dhe të këqijat. Pamvarësisht profesionit, secili është duke u munduar në mënyrën e vet – ndaj, kënaquni me atë që keni sepse ai moment nuk kthehet më,” ka shtuar Kabashi në mesazhin e saj për ndjekësit.
Podcasti “Amor Fati” do të jetë i hapur edhe për zërat e publikut, të cilët do të kenë mundësinë të ndajnë historitë e tyre personale, duke e bërë platformën një hapësirë të përbashkët për reflektim e komunikim.



