
Aktorja thotë se ka pritur që fëmijët të mbushin 18 vjeç përpara se të mendojë për një zhvendosje jashtë vendit.
Aktorja e njohur hollivudiane, Angelina Jolie, ka lënë të kuptohet se kapitulli i saj i ardhshëm mund të zhvillohet larg Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një intervistë të fundit, Jolie ka deklaruar se ka pritur që fëmijët e saj të arrijnë moshën madhore përpara se të ndërmarrë një hap që e kishte menduar prej kohësh — zhvendosjen jashtë vendit.
“E dua vendin tim, por në këtë kohë, nuk e njoh vendin tim”, është shprehur ajo, duke reflektuar mbi situatën aktuale në SHBA.
Aktorja theksoi se botëkuptimi i saj është “i barabartë, i bashkuar dhe ndërkombëtar”, ndërsa shtoi se çdo gjë që ndan apo kufizon liritë dhe shprehjen personale të individëve është e rrezikshme.
Megjithëse nuk ka konfirmuar një largim të menjëhershëm, deklaratat e saj kanë nxitur reagime të shumta dhe debat mbi arsyet që mund ta shtyjnë drejt një jete jashtë Hollywood-it.



