
Arbërie Nagavci, shefe e grupit parlamentar të VV-së, ka folur në lidhje me temën e presidentit, që është kryetema aktuale politike në Kosovë.
Në intervistën për Ekonomia Online, Nagavci ka vlerësuar se Qeveria ka pasur një bashkëpunim korrekt institucional me ish-presidenten Vjosa Osmani.
Tutje, ajo ka theksuar se mandati i Osmanit si presidente ka përfunduar.
“Mendoj që qeveria e Republikës së Kosovës ka pasë një bashkëpunim korrekt institucional me presidenten në raport të kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive që i kemi pasë të dy palët. Në këtë linjë, tashmë ka përfunduar mandati i zonjës Osmani si presidente, kemi zonjën Albulena Haxhiu, ushtruese të detyrës së presidentes dhe në këtë fazë konsideroj që është tepër e rëndësishme që të vazhdojmë me punë, ndërkohë që si kuvend të gjejmë zgjidhjen për presidentin, presidenten e re të Republikës së Kosovës, ndërkohë që për analiza të detajuara mendoj që do të kemi kohë tutje të flasim”, është shprehur Nagavci.



