Arian Tahiri: 99% e votave me numër serik të çrregullt nuk janë të miat

Kandidati i PDK-së për Mitrovicën e Jugut, Arian Tahiri, tha se parregullsitë në fletëvotime kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe se fenomeni i “trenit bullgar” ka ndikuar në deformimin e vullnetit të qytetarëve.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Komunën e Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, është deklaruar për herë të parë lidhur me parregullsitë e evidentuara në procesin e votimit në këtë komunë.

banner

Në një intervistë në emisionin “Debat Plus”, Tahiri tha se 99% e votave me numër serik të çrregullt nuk janë vota në favor të tij, por të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, duke e cilësuar këtë si “element të çuditshëm” që duhet hetuar.

“Rreth 99% janë vota që nuk janë të miat, edhe kjo është gjithashtu element i çuditshëm që duhet me pa. Të gjitha këto fletëvotime që s’përputhen me vendin e votimit s’janë të miat. Në të kundërtën, duhet të ishte të paktën në proporcion me rezultatin e përgjithshëm që është,” tha Tahiri.

Ai shtoi se sipas KQZ-së dhe kompanisë që ka shtypur fletëvotimet, është konfirmuar se ka pasur një gabim teknik në numrat serikë, por sipas tij, ky gabim ka ndikuar drejtpërdrejt në integritetin e zgjedhjeve.

“Kemi reagim nga KQZ edhe nga kompania, të cilat e pranojnë se ka pasur gabim tek numri serik kur është bërë shtypja. Çka thotë ligji? Thotë se fletëvotimi duhet ta ketë numrin serik specifik në bazë të vendvotimit. Kur nuk është ashtu, kemi pranim nga KQZ se fletëvotimet nuk e kanë integritetin e tyre, rrjedhimisht procesi zgjedhor s’e ka integritetin.”

Sipas tij, kjo situatë ka krijuar mundësi për manipulim të mundshëm të votave, duke përdorur metoda të njohura si “treni bullgar”.

“E ka humb integritetin, s’ka mujt me u rujt, e mundëson që me u fut fletëvotime pa kontroll, që njihet si ‘treni bullgar’. Ky është ai dëmi që është shkaktuar. Është deformuar vullneti i qytetarëve të Mitrovicës,” deklaroi ai.

Tahiri theksoi se ka besuar në një proces të rregullt demokratik dhe se, pavarësisht këtyre parregullsive, ka treguar respekt për kundërkandidatin e tij.

“Kam besu në proces të rregullt, në demokraci të plotë, dhe si rezultat i saj edhe e kam uru qytetarin e kundërkandidatin me respektin maksimal,” përfundoi Tahiri.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.