
Prokuroria Themelore në Gjakovë konfirmon arrestimin e A.I., i cili dyshohet se vrau dy vëllezër në fshatin Gollubovc. I dyshuari është gjetur i plagosur dhe po trajtohet mjekësisht.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se është arrestuar personi i dyshuar për vrasjen e dyfishtë që ndodhi dje në fshatin Gollubovc të Komunës së Malishevës. Bëhet fjalë për A.I., i cili ishte në kërkim që nga dita e djeshme pas ngjarjes tragjike.
Në komunikatën për media, prokuroria bëri të ditur se shumë shpejt do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. “Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Brenda afatit ligjor, ndaj të dyshuarit A.I. do të paraqitet kërkesa për caktimin e paraburgimit në gjykatën kompetente,” thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja pas arrestimit. Sipas njoftimit, A.I., mashkull kosovar i lindur më 1983, është arrestuar mëngjesin e sotëm rreth orës 06:25 në fshatin Pllaqicë. Ai është gjetur i plagosur dhe menjëherë i është ofruar trajtim mjekësor, pasi dyshohet se plagët janë shkaktuar nga arma e zjarrit. Hetimet vazhdojnë në koordinim të plotë me prokurorinë.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri, për të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë vrasjes së djeshme. Sipas policisë, viktimat janë dy vëllezër të moshës madhore, të cilët janë qëlluar me armë zjarri pranë shtëpisë së tyre.
Burime nga familja e viktimave kanë treguar se dy vëllezërit kishin ardhur nga mërgimi për të marrë pjesë në varrimin e babait të tyre. Tragjedia ndodhi në prag të shtëpisë, ndërsa të afërmit tregojnë se ende po vinin njerëz për ngushëllime.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, ka konfirmuar se viktimat dhe i dyshuari kishin lidhje familjare, por motivet e ngjarjes ende nuk janë zbardhur plotësisht. “Në mes vete kanë raporte familjare, por motivi ende nuk dihet saktësisht,” tha ai.
Sipas policisë, motivi fillestar dyshohet të ketë qenë një fjalosje mes palëve. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezi, ka konfirmuar se i dyshuari ishte dhëndri i viktimave.



