
Koci paralajmëron se mosdeklarimi i mallrave mbi 300 € në kufijtë tokësorë dhe mbi 450 € në aeroport, mund të çojë në konfiskim dhe procedura për kundërvajtje doganore.
Avokati i njohur, Arianit Koci, ka ngritur një çështje të rëndësishme që lidhet me rregullat doganore të Kosovës, duke theksuar se shumë qytetarë nuk janë të informuar për detyrimin ligjor të deklarimit të mallrave me vlerë gjatë hyrjes në vend.
Sipas tij, pajisjet teknologjike si iPhone, Samsung apo çdo telefon tjetër i ri, të cilat nuk kanë faturë ose janë blerë jashtë Kosovës, duhet të deklarohen në doganë. Në të kundërtën, nëse ndalohet nga zyrtarët doganorë, qytetari hyn automatikisht në procedurë për kundërvajtje doganore.
“Në praktikë kjo nënkupton që telefoni konfiskohet, ndërsa për ta rikthyer duhet të paguani vlerën e plotë që ia cakton dogana, bashkë me taksat përkatëse”, ka theksuar Koci.
Ai ka sqaruar se ky rregull nuk kufizohet vetëm për telefonat, por shtrihet edhe te veshjet e shtrenjta, çantat, orët, bizhuteritë dhe çdo send tjetër me vlerë, duke përfshirë edhe dhuratat personale.
“Edhe zinxhiri që ta ka falë nëna, unaza e martesës dhe çdo mall tjetër duhet të deklarohen – nëse kalojnë vlerën prej 450 € në aeroport ose 300 € në kufi tokësor. Ky obligim vlen njësoj për rezidentët dhe për ata që jetojnë jashtë vendit”, ka shtuar avokati.
Koci ka shprehur shqetësim të veçantë për diskrecionin e doganierëve, të cilët, sipas ligjit, kanë të drejtë të vendosin kë do të ndalojnë në kufi. Sipas tij, kjo krijon pasiguri për qytetarët dhe hap mundësi për interpretime të ndryshme në terren.



