
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar për keqpërdorim të parasë publike dhe përdorim të saj në funksion të partisë dhe luksit qeveritar.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se ka “trashur thesin” me paratë e qytetarëve.
Në një reagim publik, Bajrami tha se Kurti, ndonëse dikur ishte deputet që kritikonte qeveritë për korrupsion e keqmenaxhim, tani vetë është bërë pjesë e praktikave të tilla.
“Deputeti Kurti që dështoi të bëhet Kryeministër, atë thesin që po thotë e ka kepë, e e ka trashë, e ka trashë me paratë tona,” ka deklaruar ajo.
Sipas Bajramit, qytetarët e Kosovës po paguajnë çmime shumë më të larta për produkte e shërbime bazike, ndërsa qeveria po përfiton përmes “mafisë energjetike, tenderave njëburimor dhe formave të tjera të keqpërdorimit”.
Ajo shtoi se Kurti po e përdor paranë publike për interesa politike dhe partiake:
“Ka edhe një problem tjetër derisa Kurti po akuzon të tjerët se merrnin nga thesi i çkymë, ky vetë e ka marrë thesin dhe e ka çu në parti. Ai thes nuk po ju takon më qytetarëve, por është në funksion të luksit të qeveritarëve dhe të LVV-së. Thënë shkurt, po blen vota nga thesi.”
Bajrami ka kërkuar më shumë transparencë në menaxhimin e fondeve publike dhe ka paralajmëruar se opozita do të kërkojë llogari për mënyrën se si po shpenzohen mjetet e buxhetit të shtetit.



