
Deputetja e LDK-së thotë se kryeministri po synon të përfundojë punë me Kuvendin dhe më pas të qeverisë pa mbikëqyrje parlamentare.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e çon vendin drejt zgjedhjeve dhe po përpiqet të miratojë ligje me procedurë të përshpejtuar.
Sipas Bajramit, kjo po bëhet me qëllim që të përfundojë disa procese në Kuvend dhe më pas të qeveriset pa mbikëqyrje parlamentare.
“Albin Kurti po na çon në zgjedhje. Kjo është arsyeja pse po don me i kalu ligjet me afate të përshpejtume. Albini po don me kry punë me Kuvend dhe mandej me qeverisë pa Kuvend dhe pa mbikëqyrje”, ka deklaruar ajo.
Deputetja e opozitës ka theksuar se që nga dhjetori i vitit 2024 vendi nuk ka pasur një Kuvend funksional, ndërsa tani, sipas saj, po tentohet miratimi i ligjeve duke shmangur procedurat e rregullta.
“Prej dhjetorit të vitit 2024 s’ka pasë Kuvend funksional. Tash me kalu ligje me shmangie. Pse këto urgjenca?”, ka pyetur Bajrami.
Ajo shtoi se po tentohet të miratohen ligje që, sipas saj, nuk do të mund të zbatohen në praktikë.
“Urgjencë me ba ligje që s’mund të zbatohen kurrë”, ka përfunduar Bajrami.



