Baton Haxhiu i drejtohet Kushtetueses, kërkon të shfuqizohet dispozita që lejon votimin e 10 kandidatëve dhe kthimin në parimin “1 për 1”

Gazetari dhe publicisti kërkon shfuqizimin e dispozitës ligjore që lejon një votues të zgjedhë deri në dhjetë kandidatë për deputetë, duke e quajtur atë antikushtetuese.

Gazetari dhe publicisti kosovar, Baton Haxhiu, i është drejtuar me një shkresë zyrtare Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, përmes së cilës ka kërkuar shfuqizimin e dispozitës ligjore që lejon një person të votojë deri në dhjetë kandidatë për deputetë, raporton Gazeta Express.

banner

Në kërkesën e tij, Haxhiu argumenton se dispozita aktuale bie ndesh me parimin kushtetues “një person = një votë” dhe prodhon efektin antikushtetues të “shumëzimit të votës”. Ai thekson se ky sistem krijon pabarazi mes votuesve, duke bërë që një qytetar të ndikojë procesin zgjedhor me më shumë se një votë individuale.

“Si qytetar me të drejtë vote, vota ime nuk ka peshë të barabartë me votat e qytetarëve në zona ku ekziston ndikim territorial ose kapacitet i organizimit lokal. Ky sistem prodhon efektin antikushtetues të shumëzimit të votës, sepse një votues i vetëm, në vend që të ndikojë procesin me një votë, e ndikon me minimum 1 + maksimum 10 vota individuale për kandidatë. Kjo bie ndesh me parimin kushtetues dhe universal demokratik një person = një votë,” thuhet në shkresën e tij drejtuar Kushtetueses.

Haxhiu kërkon që Gjykata Kushtetuese të shpallë antikushtetuese dispozitën e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme që lejon votimin e deri në 10 kandidatëve brenda listës së një partie, si dhe të urdhërojë Kuvendin e Republikës së Kosovës të rikthejë modelin proporcional të barabartë: një votë për parti dhe maksimum një preferencë individuale, në përputhje me standardet evropiane.

“Unë kërkoj vetëm që vota ime të vlejë aq sa vota e çdo qytetari tjetër të Republikës së Kosovës. Nëse vota ime është më pak ose më shumë se e tjetrit, Republika bie,” përfundon Haxhiu në kërkesën e tij.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.