
Incidentet e fundit në Danimarkë, Rumani dhe Poloni nxorën në pah dobësitë e sigurisë evropiane; Gjermania paralajmëron rregulla të reja për rrëzimin e dronëve.
Pas incidenteve të fundit me dronë në Danimarkë, Rumani dhe Poloni, Bashkimi Evropian ka vendosur të ndërtojë një sistem të ri mbrojtës për krahun e tij lindor. Ministrat e Mbrojtjes të BE-së ranë dakord për këtë plan në një video-konferencë të zhvilluar më 26 shtator, ka bërë të ditur Komisioneri i Industrisë së Mbrojtjes, Andrius Kubilius.
Projekti parashikon ngritjen e një “muri dronësh”, i cili do të përdorë teknologji të përparuar për të zbuluar, ndjekur dhe neutralizuar mjetet ajrore pa pilot. Ky sistem është pjesë e një pakete më të gjerë për mbrojtjen e krahut lindor të BE-së, që përfshin gjithashtu siguri tokësore, detare për Detin Baltik dhe Detin e Zi, si dhe monitorim satelitor, shkruan A2 CNN.
“Mburoja mbrojtëse për krahun lindor, me murin e dronëve si thelbin e saj, do t’i sjellë dobi të gjithë Evropës,” tha Kubilius. Financimi i projektit pritet të bëhet me instrumentet e posaçme të BE-së.
Ndërkohë, edhe Gjermania po shqyrton masa të reja për mbrojtjen nga dronët. Ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt ka propozuar rregulla të reja ligjore, që do t’i lejonin Bundeswehr-it të rrëzojë dronë në raste të caktuara. Sipas raporteve mediatike, një katalog i posaçëm do të përcaktojë kushtet kur ndërhyrja e armatosur lejohet, veçanërisht kur një dron përbën kërcënim për njerëzit apo infrastrukturën kritike. Vendimmarrja për situata të tilla do t’i takojë Ministrisë Federale të Mbrojtjes.



