
Blloku evropian mirëpret dorëzimin e qetë të pushtetit lokal në veri dhe thekson rëndësinë e reformave dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Bashkimi Evropian ka njoftuar se Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë drejt heqjes graduale të masave të vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023. Në një përgjigje zyrtare për Tëvë1, BE-ja ka bërë të ditur se synon të vazhdojë me heqjen e mëtejshme të këtyre masave.
Blloku evropian ka mirëpritur dorëzimin e qetë të qeverisjes lokale në katër komunat veriore dhe ka theksuar se pret që kryetarët e rinj të përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve pa dallim.
Po ashtu, BE-ja ka marrë në dijeni shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare, të planifikuara më 28 dhjetor, duke nënvizuar rëndësinë e një procesi zgjedhor të administruar mirë dhe konkurrues, përfshirë certifikimin e partive politike, pjesëmarrjen e tyre dhe akreditimin e mediave nga të gjitha komunitetet.
“BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo ato të zgjidhen, dhe të vazhdojë mbështetjen për vendin në rrugën drejt integrimit evropian,” thuhet në përgjigje. Blloku evropian shtoi se pret nga Kosova të rikthehet në rrugën e reformave të domosdoshme dhe të avancojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.



