Bekim Haxhiu dorëzon në PZAP dy ankesa – Këto janë pretendimet e tij

Kandidati i PDK-së kundërshton përfshirjen e mbi 23 mijë fletëvotimeve me postë dhe pretendon gabime në llogaritjen e rezultateve që, sipas tij, kanë ndikuar në ndarjen e mandateve.

Ish-deputeti i PDK-së dhe njëherësh kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Bekim Haxhiu, ka dorëzuar dy ankesa zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), raporton Periskopi.

banner

Sipas Haxhiut, ankesat kanë të bëjnë me përfshirjen e fletëvotimeve me postë nga votimi jashtë Kosovës, të cilat ai pretendon se janë pranuar pas afatit ligjor, si dhe me llogaritjen e gabuar të rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Ai ka bërë të ditur se bëhet fjalë për 23,323 pako me fletëvotime me postë, të cilat, sipas tij, janë përfshirë në rezultat në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Po ashtu, ai pretendon se gabimet në përllogaritje kanë ndikuar drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Në reagimin e tij publik, Haxhiu theksoi se respektimi i afateve zgjedhore dhe barazia e votës janë thelbësore për besueshmërinë e procesit zgjedhor.

“Të dashur qytetarë, sot kam dorëzuar dy ankesa zyrtare në PZAP kundër rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 31 janar 2026. Afatet zgjedhore dhe barazia e votës nuk janë rekomandime, ato garantojnë barazinë e votës dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor. Asnjë vendim administrativ i KQZ nuk mund të ndryshojë ligjin dhe Kushtetutën. Nuk kërkoj privilegj. Kërkoj vetëm zbatim të barabartë të ligjit dhe Kushtetutës. Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë”, ka deklaruar ai.

PZAP pritet të shqyrtojë ankesat në ditët në vijim.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.